Trumza (Satureja montana) është një bimë aromatike me veti kuruese e njohur që në lashtësi dhe e përhapur kryesisht në zonën e Mesdheut. Ajo është pjesë e të njejtës familje botanike të nenexhikut (mentes), rigonit dhe borzilokut. Ndër mbi 40 varitetet e njohura të bimës spikasin Satureja hortensis dhe Satureja montana, më të përdorurat si në kuzhinë, ashtu edhe për vetitë e tyre kuruese.
Në kulinari trumza përdoret gjerësisht si erëz aromatizuese për pjata me bazë mishi, peshku apo perimesh, në salsa, supa dhe sallata të freskëta.
![](https://www.salvianord.com/wp-content/uploads/2023/03/trumza_salvianord2-1024x677.png)
Varieteti jonë “Satureja montana” karakterizohet nga aroma e fortë dhe një shije e ngjashme me të limonit. Si bimë aromatike shkon shumë me mishin në furrë, por edhe me pjatanca peshku, midhjesh apo karkalecash deti, si rrjedhojë e shijes së saj të freskët.
Kjo bimë e pasur me vitamina, kripëra minerale dhe vlera të larta antioksiduese përdoret në formë çaji edhe për forcimin e sistemit imunitar, sidomos gjatë ndërrimit të stinëve.
Në bujqësi (por edhe në kopshtet dhe ballkonet e shtëpive tona), trumza kultivohet shpesh edhe si bimë që mban larg insektet e dëmshme për lulet e tjera.
Emri shkencor i trumzës, “Satureja”, e ka prejardhjen nga termi latin që përshkruan ngopjen. Çajrat e trumzës në lashtësi konsumoheshin në fakt pikërisht në fund të banketeve, si tretës natyralë.
Popujt e Mesdheut, që e kanë përdorur ndër shekuj edhe në bankete e ceremoni rituale, i atribuojnë vajrave esencialë te trumzës veti afrodiziake.
Ndërkohë që në Romën e lashtë bima përdorej kryesisht si erëz për të aromatizuar gatimet e ndryshme, duke filluar nga mesjeta vetitë e saj kuruese zbulohen dhe përdoren për një numër të madh shqetësimesh të shëndetit.
Trumza në fakt, e konsumuar në dozat e duhura, ndihmon ndër të tjera tretjen e ushqimit, lehtëson dhimbjen e pickimeve të insekteve (mushkonja, bletë apo grenxa), si edhe forcon sistemin imunitar, falë përmbajtjes së vitaminës C.